Pages

Jun 17, 2011

"Bloomsday" lulëzon edhe në Tiranë


"I wrote Ulysses, what did you do?" - James Joyce

Kush njeh Xhojsin njeh Uliksin e bashkë me të, qepur në kujtesë, ka edhe personazhin Leopold Blum!

Që prej vitit 1954, 16 qershori në Dublin njihet si "Bloomsday" apo "Dita e Blumit", ku të gjithë dashamirësit e Xhojsit dhe të letërsisë në përgjithësi, mblidhen e organizojnë këtë festë letrare për të përkujtuar ditën në të cilën zhvillohen ngjarjet në romanin epik të Xhejms Xhojsit - në 16 qershor 1904. Xhojsi zgjodhi pikërisht këtë ditë për romanin e tij në nder të shëtitjes së parë me gruan e tij ardhshme Nora Barnakëll, e cila e frymëzoi atë për personazhin e Molli Blumit.

Pas gati 60 vjetësh "Bloomsday" ka kaluar kufijtë e qytetit të vogël Irandez duke u festuar botërisht, veçanërisht në vendet anglofile. Në shumë qytete, vit pas viti, ka përpjekje për ta lexuargjithë librin me zë të lartë, ndërsa në Dublin, turistët vishen me rrobat e fillimshekullit të kaluar dhe përshkojnë përgjatë gjithë ditës rrugët ku kanë ecur personazhet e Uliksit.

"Bloomsday" i këtij viti mbërriti për herë të parë edhe në Tiranë. Një ngjarje letrare e cila, siç pritej, kaloi pa u ndjerë në ambjentet e Kafe-Librari "E Për7shme". U lexuan fragmente nga libri si dhe të pranishëmve iu shpërndanë shprehje të shkëputura prej tij. Organizuar nga E.Zaimi dhe shkrimtari Agron Tufa, Tirana mblodhi për herë të parë dashamirësit e Xhojsit, të cilët, me siguri, këtu kanë komunitetin e tyre më të vogël.

“Uliksi” konsiderohet nga shumë njerëz si romani më madhështor i shekullit të njëzetë. Padyshim, ai bëri të njohur “stream-of-consciousness technique” apo monologun e përroit të ndërgjegjes në tekstet letrare. Vepra i dha udhë letërsisë moderniste dhe eksperimentale.

Xhojsit iu deshën plot 2 vjet për të shkruar romanin voluminoz, dhe gati 2 të tjerë për ta botuar atë në Paris, në 1922. Refuzimit të botimit në Dublin, shkruesi Xhojs i qe përgjigjur me një siguri edhe më të parevokueshme: “Si të doni i nderuar Zotëri! Por ta dini ama, mospranimi i këtij libri ju bën përgjegjës për vonesën e qytetërimit në vendin tuaj.”

Jo rastësisht “Uliksi” për herë të parë në shqip erdhi në 2003 nga shtëpia botuese "Zenit Edition" dhe brenda 8 vjetësh ka parë 3 botime.

1 comment:

irsiB said...

Me kete liber Joyce ka influencuar jo vetem modernizmin letrar por dhe koncepte te tjera moderne si “psychogeography.” Kjo eshte nje forme tjeter e interpretimit te qytetit qe studion marredheniet midis sjelljes spontane (eksperimentale) te njerezve dhe kushteve urbane. Nje levizje teper aktive gjate viteve 50 e 60, “psychogeography” mbetet relevante dhe sot. Ulysses eshte nje interpretim i famshem i Dublinit, te cilin s’e shohim dot ne harte. Debati, se si mund te hartojme me mire nje qytet qe te kuptojme karakterin e tij te vertete, vazhdon midis arkitekteve dhe ndertuesve urban. Hartat jane shkruar ne nje gjuhe standarde, si diagrame informuese. Per mua, ky abstraksion i pranuar universalisht tregon nje realitet te pavlefshem. Rrefimet e njerezve (edhe pse paksa fiktive) mundesojne nje interpretim me efektiv 3D. Mendoj se do ishte interesante sikur njerezit te jepnin pershtypjet ndaj librit ne nje forme skice, se si e perfytyrojne ata qytetin qe pershkruan Joyce. Do ishte me provokuese dhe mbase me produktive nqs qytetet do te ndertoheshin duke u bazuar neper vepra letrare se sa vice-versa.