Aug 28, 2011

Featured Artist | Praq Rado

Edicioni i katert i Festivalit Nderkombetar te Filmit ne Durres filloi ne 27 Gusht dhe vazhdon deri ne 2 Shtator. Ky edicion po promovon vepra inovative te kinematografise moderne boterore si dhe mirepret artiste dhe kineaste te rinj e te talentuar. Meqe e gjithe java do t'i kushtohet kultures dhe artit cinematografik shqiptar dhe te huaj, do te donim te merrnim pjese (sado larg) duke prezantuar nje artist shqiptar qe po ben buje ne New York dhe Los Angeles. Ai eshte Praq Rado.

Ja nje interviste e marre nga ikub.al ne Mars te ketij viti. Enjoy!
"Praq Rado, shqiptari qe kerceu nga Thethi ne Holliwood
   15 Mars 11
Ai e nisi jeten ne Amerike si nje nga emigrantet e shumte shqiptare. Pasioni per aktrimin dhe deshira per te bere dicka ne jete e kane futur ne industrine e Holliwoodit.
Praq Rado ka qenë një nga emigrantët e shumtë shqiptarë në Amerikë. Fëmijëria në Theth, vështirësitë financiare për ta rritur dhe një betim me veten për të bërë diçka në jetë.  Nis fillimisht të studiojë për radiologji në “Westchester Community College” në Nju Jork dhe aty merr pjesë në shfaqje teatrale. Zbulon pasionin për aktrimin, takon edhe njerëz të njohur të botës kinematografike, mes të cilëve edhe regjisorin Lee Percy, i njohur për bashkëpunime me aktorë të njohur të Hollivudit. Ai e shtyn në rrugën e aktrimit dhe prej vitit 2005 Praq Rado vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij. Fati e vë përballë sfidave, kur i ati sëmuret rëndë, kthehet në Shqipëri për humbjen e tij, niset sërish drejt Amerikës, por tashmë më i zhgënjyer se më parë. Në fakt tashmë është protagonist i një filmi. Jo vetëm si aktor, por edhe si personazh. “Dreaming American”, me regji të Lee Percy dhe Barbet Schroeder, bazohet në jetën e tij. Filmi është xhiruar në Nju Jork dhe do të bëhet pjesë e festivaleve të rëndësishme. Në fakt, Rado thotë se kjo histori nuk është vetëm e tija, por ajo e shumë emigrantëve shqiptarë, të cilëve ua dedikon këtë film. Duke pritur suksesin e këtij filmi, Praq Rado tregon rrugëtimin e tij nga Thethi në Amerikë.
“Dreaming American”, një film për një histori të jetuar, ku personazhi dhe aktori janë një. Në fakt, si nisi ëndrra juaj amerikane?
Kam marrë pjesë në disa shfaqje teatrale gjatë studimit si aktor në Nju Jork,  po te ‘HB Studio’ u njoha me disa regjisorë të cilët më ftuan të marr pjesë në filmat e tyre. Aktrimi është pasioni im, mund të marr karaktere të ndryshme përsipër dhe depërtoj te shikuesit. Nuk ka ndjenjë më të mirë kur audienca ndërthuret në historinë e filmit nëpërmjet ndjenjave të ngjallura nga skenari apo aktori qoftë për të qeshur apo skena emocionuese. Filmi “Dreaming American” është një ëndërr e realizuar për mua, sepse jo vetëm që tregon një realitet të vështirë për të gjithë emigrantët që mundohen të jetojnë me mundësitë që kanë në vend të huaj, por është edhe një histori personale për mua, për sakrificat që kam bërë për të pasur një jetë më të mirë. Kam luajtur shumë role të ndryshme në karrierën time si aktor i Hollivudit, por mund të them që filmi “Dreaming American” është kulmi i suksesit tim. Ka pasur një reagim të jashtëzakonshëm dhe një përkrahje të madhe dhe besoj të mirëpritet nga festivalet dhe konkurrimet ku do të marrë pjesë.
Keni nisur prej pak vitesh të bëheni pjesë e produksioneve kinematografike. Ç’do të thotë për ju bashkëpunimi me regjisorin Lee Percy?
Unë i jam shumë mirënjohës për këtë mundësi të mrekullueshme dhe e konsideroj veten jashtëzakonisht me fat që të punoj me Lee Percy. Ai është shumë i respektuar në Los Angeles dhe Nju Jork.  Është i njohur për filmat e tij me famë dhe të çmuar si “Boys Don’t Cry’ me aktoren Hilary Swank dhe filmi ‘Grey Gardens’ me Drew Barrymore dhe Jessica Lange, si dhe për filmin më të fundit,  ‘Salt’ me Angelina Jolie. Ndërsa Barbet Schroeder është producent ekzekutiv, i cili ka punuar me Lee Percy për 20 vjet bashkë ku është i njohur për ‘Reversal of Fortune’ me aktorët Glenn Close dhe Jeremy Irons, ‘Single White Female’ me Bridget Fonda, Jennifer Jason Leigh dhe Steven Weber, si dhe ‘Murder by Numbers’ me Sandra Bullock, Ben Chaplin dhe Ryan Gosling. Unë e konsideroj veten njeri me shumë fat të më jepet një mundësi e tillë. Lee Percy si drejtor është i përkryer, njeri shumë i mirë dhe i aftë. Kam mësuar shumë prej tij gjatë bashkëpunimit në këtë film. Vizioni im për ‘Dreaming American’ u bë realitet nëpërmjet punës dhe këmbënguljes së tij. I jam shumë mirënjohës për këtë.
Historia juaj, pak a shumë mund t’u ngjajë shumë historive të tjera emigrimi. Sa u është dashur të aktroni në këtë film?
“Dreaming American” është një film që i përngjan shumë jetesës së emigrantëve të tjerë në vështirësitë e tyre. Filmi me të vërtetë kërkoi një dedikim të madh dhe aktrim nga unë, sepse më solli kujtimet dhe ngjarjet e jetës time. Por në të njëjtën kohë, këto ngjarje të jetës më kanë frymëzuar të përgatitem shpirtërisht dhe psikologjikisht për rolin që kam pasur. Momenti më i vështirë ka qenë që të mos humbas në ndjenjat e mia.
Pse një dëshirë kaq e madhe për të qenë aktor. Nga lind ky pasion?
Unë fillova shkollën për radiologji në “Westchester Community College” në Nju Jork dhe aty mora pjesë në shfaqje teatrale, gjatë të cilave zbulova dashurinë time për aktrim. Në kolegj u njoha me shumë njerëz të artit që më dhanë vullnet dhe inspirim të ndjek këtë karrierë.  Në këto shfaqje teatrale pata rastin të njihem dhe me Lee Percy që më ka shtyrë të bëhem aktor. E vlerësoj këshillën e tij dhe jam i kënaqur për këtë që më ka  sjellë jeta deri tani.
Një film perceptohet ndryshe në bazë të kulturave prej nga publiku vjen. Çfarë do donit ju të përcillnit përmes tij?
Unë dëshiroj që ky film të tërheqë vëmendjen e çështjes së emigracionit, sidomos për ato familje e fëmijë që vuajnë jashtë shtetit, sepse nuk kanë dokumente. Veçanërisht është vështirë për ata fëmijë që po vazhdojnë shkollën pa ditur se ku do t’i çojë e ardhmja. Ka shumë fëmijë që kanë ëndrra të bëhen dikush në jetë siç i kam edhe unë, po nuk u jepet mundësia t’i vazhdojnë. Kjo gjë mua më prek në zemër, prandaj i lutem Zotit që ky film të hapë rrugën për shumë emigrantë të tjerë e të bëhet diçka për jetën tyre. Kjo do kishte qenë diçka e madhe në qoftë se ‘Dreaming American’ do të sjellë vëmendjen te çështja e emigracionit dhe ndoshta qeveria amerikane nxjerr një ligj për të falur apo akomoduar këto familje. Fatkeqësisht, emigrimi ka tërhequr ajkën e vendit, dhe ka shumë të tjerë që janë shumë të aftë, por nuk i kanë mundësitë të arrijnë lart, sepse janë të izoluar apo nuk janë legalë. Shpresoj që secilit t’i ecë mbarë.
Hollivudi dhe tregu kinematografik është një shesh beteje. Çfarë ju shtyn veç famës drejt kësaj arene?
Hollivudi është shumë treg i vështirë, në qoftë se nuk ke asnjë përkrahje prej dikujt, është edhe më e vështirë. Po unë nuk e kam zgjedhur aktrimin prej famës ose parasë. Për mua aktrimi është një pasion i imi prandaj e pëlqej ta bëj. Un nuk jetoj për famë, unë jetoj që puna ime të ndikojë dhe prekë njerëzit që nëpërmjet filmit tim, ata të harrojnë gjërat e jetës së përditshme dhe të ndihen mirë.
Një fëmijëri në një vend të vogël si Shqipëria dhe një ëndërr amerikane. Çfarë kanë sjellë këto dy përplasje në karakterin tënd?
Kjo më ka ndihmuar shumë, se si fëmijë kam vuajtur shumë. Kur isha fëmijë gjithmonë mendoja që do bëja diçka në jetë për të ndihmuar prindërit e mi, të cilët kanë vuajtur shumë për të më rritur. Unë gjithmonë e kujtoj dhe ndihen krenar për prejardhjen time shqiptare, dhe këtë nuk e harroj kurrë sado famë të arrij. Në filmat dhe punët që kryej, gjithmonë mundohem të punësoj aktorë shqiptarë dhe t’i ndihmoj me mundësitë që kam, sepse më vjen mirë kur ne shqiptarët arrijmë lart. Dhe ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin kudo që jemi. Nëse bëhet fjalë për karakter filmi, jam i trajnuar për këtë punë që di si të luaj në situata të ndryshme. Nëse bëhet fjalë për karakterin tim personal, siç u shpreha dhe më sipër, mbi të gjitha jam shqiptar. Cilido ka shpresa për veten dhe unë i arrita këto jashtë vendit tim. Megjithatë, kjo përvojë më ka bërë një person më të fortë, dhe që e dua më shumë vendlindjen. Kur të më jepen mundësitë financiare, kam dëshirë të ndihmoj ato familje që nuk kanë mundësi ekonomike në Shqipëri dhe jetimët.

Cila është sfida juaj, ku doni të arrini?
Dëshiroj që filmi ‘Dreaming American’ të ketë sukses të madh. Dhe më vonë kam qejf të nxjerr një libër biografie për jetën time që tregon për rrugën time nga Thethi në Amerikë. "

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
We got 'Film Fever' already, how about you?

No comments: