Ngjarjet e vogla e veprave të mëdha
Duke qenë se që fëmije me ç’prisja të mërkurën tek televizioni publik për të parë teatrot e relaizmit socialist, apo ditën kur prindërit sa nga halli e sa pamundësia për të më lënë diku, më merrnin edhe në shfaqe të rriturish, e kam gati të pamundur të bëj indiferenten kur dëgjoj që po vihet një shfaqe e re.
Kësaj herë, aryeja që më mbajti të entuziazmuar gati gjithë ditën deri sa të vinte orari i shfaqes, qe vepra “Opera për tri groshë”. Nuk ka nevojë për prezantim, as pjesa e as Brecht-i. Kjo ngase vepra është pjesa më e njohur e dramaturgut gjerman, e para që i dhuroi suksesin dhe e vetmja që vihet e rivihet në skena edhe pas 83 vjetësh nga shfaqja e saj e parë. (Personalisht vlerësoj më tepër Nëna Kurajë dhe Fëmijët e Saj).
Pjesa lindi si një teatër muzikor - musical, teksti i shkruar nga Bertolt Brecht (bazuar në pjesën e John Gay) dhe këngët e kompozuara mjeshtërisht nga Kurt Weill. Përgjatë viteve shfaqja e vënë mbi 10 mijë herë në skena, ka folur në 18 gjuhë të ndryshme. Publiku shqiptar ka patur fatin ta shohë 2 herë, të parën si musical i mirëfilltë nën regjinë e Mihal Luarasit, ndërsa të dytën, me tepër si dramë me fare pak këngë, para 3 vitesh nga sporva e Ema Andreas si regjisore. Të dyja një sukses, tërësisht i merituar.
Aherë mendoja se kur një vepër është e madhe në vetvete nuk ka shanse që ta nxjerrësh keq.... përshtypje që mu rrafshuan një herë e mirë dje në mbrëmje... ishte hera e tretë që do shihja “Operan për tri groshë”. Regjia kësaj here vinte nga Milto Kutali ndërsa trupa përbëhej nga aktorë të rinj dhe solistë të Operas dhe Baletit. Për fat të keq, me regjizorin që ka vënë në skenë më shumë se 50 pjesë këto 20 vitet e fundit, nuk kam ndonjë feeling të jashtëzakonshëm. Mbaj mend që nga shfaqja e tij e fundit (shkruar nga vetë ai) “Tablo absurde” u ngrita pa bërë zhurmë andej nga mesi shfaqes, megjithëse trupa e aktorëve po nxirrte djersë që të më mbante mbërthyer në atë karrige.
“Opera për tri groshë” dje erdhi në amfiteatrin e Akademisë së Arteve, në një odeon të vogël që të priste me karriget e palara prej 3 muajsh. Me gazeta ndën të ndenjura u bëmë gati të ndiqnim një prej kryeveprave të dramaturgjisë gjermane. Poshtë këmbëve kishim orkestrën e Radio-Televizionit dhe përballë nesh një skenë me skenografi të varfër, ashtu siç e kërkon vetë pjesa në fakt.
Vënia e Brechtit në skenë mund të jetë ëndrra e çdo regjisori teatri, ëndërr e cila nëse nuk e kuron siç duhet, rrezikon të kthehet në makth... në mos për regjisorin, për publikun që e sheh dhe e vlerëson.
Të vësh në skenë musical me aktorë që nuk dinë të këndojnë apo me këngëtarë që nuk dinë të aktrojnë, duhet të jetë një sfidë e llahtarshme. Ndaj për këtë, regjisori kish menduar një zgjidhje alla brehtiane, duke dubluar rolet. Kur personazhi duhej të këndonte, hipte në skenë një soliste e operas, dhe kur i duhet të luante pjesën e vet, shfaqej virkthi nga prapa perdes aktorja apo aktori përkatës. Këtu nuk ka asgjë të re, duke qenë se ndërrimi i roleve erdhi si risi nga vetë Brechti, megjithëse dyshoj se në kohën e tij, kjo ka lindur më tepër si nevojë në mungesë të artistëve shumëdimensional. Ta bësh këtë në 2011 mund të ngjajë disi absurde, megjithatë le të mbetet kjo një zgjedhje tërësisht personale e regjisorit. Por, teksa përpiqesha të kuptoja pse-në e kësaj “gjetjeje” nga ana e tij, vura re se në fakt, i vetmi mundim real që ai kish bërë në këtë rast, ishte përpjekja që aktori dhe këngëtari i së njëjtit rol t’i përngjante disi shoshoqit. Një zgjidhje e mjerushme, gati qesharake dhe seç kam një ndjesi që ata që e kanë parë dje për herë të parë veprën, diku nga mesi i saj e rrokën qëllimin regjisorial.
Në trupën e aktorëve dallonte Red Mulla, personazhi i Meki Thikës, ndërsa gjëja më e mirë e shfaqes, ishin solistët profesionistë të Operas së Shtetit që interpretonin në gjermanisht pjesët e Weill-it.
3 akte të shtrirë në 2 orë përvuajtje, me interpetime që vinin në forma recitimi, me aktorë zëmekur që nuk përfundonin fjalitë apo me bandën e Mekut që këndonte “Ndale qenin ti moj qëne...”
2 comments:
Nuk dua te ve ne dyshim shijet e tua artistike...po me lejo te te pyes nese kostumet dhe skenografia ishin te arrira te pakten?
Pastaj mund te me thuash cili ishte detaji qe te mbajti ne ate karrige deri ne fund??? (pervec kureshtjes?!)
Kostumet ishin mirë, por ishin gjëja e fundit që të binin në sy! Gjysma nga këngëtarët psh,kishin ardhur me rrobat e dollapit të tyre në skenë :) Ndejta deri në fund për respekt të Brechtit përpos kuriozitetit për të parë fundin...
Post a Comment