Auron Tare: Denoncimet e trafikut janë mbuluar nga pluhuri në MTKRS (25-11-2011, marre nga Gazeta Shqip)
Reagimi
Ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, Auron Tare reagon për çështjen e trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore. Sipas tij, problemi është shumë më madhor dhe institucionet shtetërore janë neglizhente. Sipas tij, mes përgjegjësve ka edhe punonjës të fushës, denoncimi ndaj të cilëve gjendet në MTKRS që në 2004-n.
QKIPK-ja ka dhënë shifra të humbjeve të objekteve, rreth 2200 në total. Përfaqësuesi i UNESCO-s e vuri theksin te Parqet Arkeologjike, veçanërisht Apolonia e Butrinti. Sa të ekspozuara kanë qenë realisht ndaj trafikimit të veprave?
Unë mendoj se shifrat zyrtare të humbjes dhe trafikimit të objekteve arkeologjike në Shqipëri të paraqitura nga MTKRS-ja nuk janë reale. Sigurisht që ata i referohen objekteve që kanë pasur në inventar, por të gjithë specialistët që kuptojnë ndopak nga punët e trashëgimisë kulturore, e dinë mirë se trafikimi i objekteve arkeologjike ka vite që lulëzon përtej shifrave zyrtare. Lulëzon, me gjithë nismat dhe konferencat që organizon MTKRS-ja, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse rutinë burokratike. Shqipëria ka një kuadër ligjor të mirë për të parandaluar këtë fenomen, por ashtu si në të gjitha fushat e tjera të jetës, ky kuadër ligjor nuk gjen asnjë zbatim konkret. Duhet thënë se edhe vende më të zhvilluara se ne kanë probleme në këtë fushë, por atje shikohet një përpjekje reale në parandalimin apo dënimin e personave që janë të përfshirë në këtë trafik. Te ne ka vetëm fjalë të bukura për të organizuar konferencën e radhës apo për të shkuar në konferencën e radhës. Asgjë më shumë. Për sa i përket ekspozimit ndaj vjedhjeve të këtyre objekteve, unë mendoj se të gjitha zonat arkeologjike janë të pambrojtura realisht ndaj këtij kërcënimi. Në të gjitha zonat tona arkeologjike mund të shkosh të gërmosh, të nxjerrësh objekte arkeologjike pa të shqetësuar njeri, në mos të ndihmojnë kundrejt ndonjë pagese. Mungon totalisht serioziteti në luftën kundër këtij fenomeni. Po ju jap një shembull. Shikoni mënyrën si ruhen muzetë apo qendrat arkeologjike. Ka vite që ruajtja e tyre bëhet me tender. Sigurisht, ajo firmë që ofron më pak për punën dhe më shumë për zyrtarët e Ministrisë. Këta roje/rojtarë janë të papërgatitur për asnjë gjë që ka lidhje me trashëgiminë, janë thjesht nevojtarë për një copë rrogë të vogël. Imagjinoni një roje me 150 mijë lekë të vjetra në muaj që ruan një muze ku ka brenda objekte me vlerë shumë të madhe. E dyta, këtyre rojeve ju mungon trajnimi më minimal, nuk kanë mjete komunikimi, nuk kanë mjete vrojtimi apo makina për të shkuar diku në një zonë të parkut arkeologjik për të ndaluar një gërmim. Gjendja reale është kaq skandaloze sa nuk ka fjalë ta përshkruash. Mjafton që çdo lexues i interesuar për këtë temë të shkojë në një qendër arkeologjike për të parë me sytë e tij degradimin total të ruajtjes së tyre.
Ju keni qenë drejtor i Parkut Arkeologjik të Butrintit. Në shifrat e humbura raportohen 11 objekte të vjedhura nga muzeu arkeologjik, mes të cilave 8 të kthyera. Është kjo shifra reale?
Dua të them që në krye të përgjigjes sime se unë jam krenar që Butrinti është i vetmi vend në Shqipëri, por edhe në rajon, i cili ka provuar konkretisht me fakte, pa fjale e pa konferenca, pa zyrtarë të kollarisur nëpër podiume që nëse lufton për të drejtën e trashëgimisë kulturore të vendit tënd, do të fitosh.
Në 5 vite, 2000-2005, u bë e mundur që të zbulohej busti i Livias në Nju Jork dhe të sillej prej andej pa asnjë shpërblim. (Unë akoma edhe sot e ruaj biletën e avionit që kam paguar vetë si dëshmi e indiferencës shtetërore për çështjet e trashëgimisë). U rikthyen nga Greqia tre buste të tjera, si dhe u vendos në rrugë të mbarë procedura për rikthimin e shtatoreve të Artemisës dhe të Apollos. Të mos harrojmë këtu edhe kontributin e madh të Igli Tares dhe Lorik Canajt në rikthimin e Kokës së Asklepit, ngjarje kjo që në traditën më të mirë shqiptare u sabotua me qëllim nga ministri i mbërtheckave dhe ish-ministri i Jashtëm Basha për të ndaluar që këta dy futbollistë t’ia jepnin këtë dhuratë vendit të tyre nëpërmjet Presidentit të Republikës. Por asnjë prej tyre nuk patën as kurajën dhe as zellin që të ndiqnin në mënyrë ligjore Shtëpinë e Ankandit Christi në Londër, e cila shiti Kokën e Asklepit qartësisht të vjedhur nga Butrinti. Askush nuk u mor me këtë fakt edhe pas kërkesës sime publike për një shembull konkret ndaj Christit në Londër për të treguar që shteti shqiptar është i angazhuar konkretisht në luftën kundër trafikimit. Ky ishte rasti më i mirë për të zbuluar zinxhirin e trafikantëve, të cilët sigurisht fillojnë nga Shqipëria dhe konkretisht nga njerëzit e lidhur me arkeologjinë.
Nga eksperienca personale, cilat do të ishin masat më të përshtatshme për parandalimin e fenomenit?
Shumë e thjeshtë, dënimi penal dhe moral i njerëzve që janë të implikuar në këtë trafik. Në arkivën e MTKRS-së ka dokumente të protokolluara që në vitin 2004 ku janë denoncuar me emër njerëz edhe nga Instituti i Arkeologjisë të përfshirë në këtë trafik. Jam i sigurt që këtyre dokumenteve i ka hipur pluhuri një pëllëmbë. Jam i sigurt që drejtori aktual i trashëgimisë as që i ka hapur ndonjëherë këto dokumente për të parë nëse janë të vërteta apo jo. Ky zyrtar, por edhe të tjerët që janë në atë ministri, nuk kanë bërë asgjë për të dënuar njerëzit që jo vetëm trafikojnë objekte arkeologjike, por që prishin site të tëra arkeologjike dhe kulturore. Shikoni shembullin më qesharak të këtyre zyrtarëve që akoma edhe sot që po flasim i kanë lënë objektet arkeologjike të gjetura në disa zona, në ruajtje të lokaleve aty pranë. A ka shembull më të mirë të paaftësisë dhe të rrezikshmërisë shtetërore të këtyre nëpunësve të shtetit se ky fakt? Shembujt e shkatërrimeve janë të shumtë, të dënuarit asnjë. Atëherë si mund të parandalohet ky fenomen? Me konferenca?
Lorenc Bejko: Situata alarmante, sitet arkeologjike vidhen në masë (25-11-2011, marre nga Gazeta Shqip)
Sipas arkeologut, shifrat zyrtare janë vetëm një pjesë e vogël e objekteve të trafikuara. Vëzhgimi në terren ka treguar se sitet arkeologjike dhunohen në të gjithë Shqipërinë me makineri të rënda apo me mjete të sofistikuara?
“Trafikimi i objekteve të trashëgimisë ka përmasa alarmante. Shifrat zyrtare janë vetëm një pjesë e vogël e vjedhjeve që kanë ndodhur në të vërtetë”. Kështu pohon Lorenc Bejko, arkeolog dhe ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Sipas tij, sitet arkeologjike po dëmtohen përditë e më shumë nga ekspeditat klandestine, të cilat me raste bëjnë kërkime edhe me mjete të sofistikuara. Sipas tij, problemi më i madh qëndron se në Shqipëri nuk ekziston asnjë gjurmë e objekteve të vjedhura, ndërsa shteti është i paaftë t’i gjurmojë në tregun ndërkombëtar.
Gjatë konferencës për trafikimin e objekteve të trashëgimisë ju u ndalët veçanërisht në Parqet Arkeologjike. Është më e rënduar situata nga sa paraqitet?
Unë u ndala te përmasat alarmante që ka marrë dëmtimi në sitet arkeologjike dhe si rrjedhojë, trafikimi i objekteve të trashëgimisë që nuk kanë asnjë gjurmë në databasën kombëtare, por as në atë të institucioneve të specializuara siç duhet të jetë Instituti i Arkeologjisë, drejtoritë rajonale, Universiteti i Tiranës apo edhe grupet e tjera kërkimore-shkencore. Unë prezantova një analizë që e fillon logjikën nga krahu i kundërt, d.m.th, nga gjurmët që dëmtimi i siteve arkeologjike lë në terren. Duke vizituar sitet arkeologjike (mbi 200 të survejuara në 7-8 vitet e fundit), më rezulton se të paktën 85% e tyre janë në situatë alarmante: ka gjurmë të dëmtimeve të pjesshme, të plota, të theksuara që janë rezultat i gërmimeve klandestine. Për më tepër, ne nuk kemi asnjë informacion për përmasat e këtij trafiku, për numrin e objekteve që zhvendosen, ndonëse kemi disa indikacione. Në konferencë u tha se policia e shtetit ka arritur të ketë rezultat në 3-4 raste, por ne nuk e dimë nëse këto hetime kanë shkuar deri në fund dhe procesi gjyqësor ka përfunduar në favor të shtetit apo njerëzit janë liruar. Fatkeqësisht, hallka të ndryshme të shtetit nuk e kanë çuar deri në fund problemin. Unë u përpoqa të nënvizoj faktin që sot ndodhemi përballë një agresioni shumë të madh të siteve arkeologjike dhe shumë të sofistikuar. Shihet përdorimi i të gjitha teknikave bashkëkohore për hulumtimin e tyre: metoda gjeofizike, metal-kërkues dhe makineri të rënda. Kjo është e patolerueshme.
Specifikisht, ku janë vënë re këto dëmtime?
Në të gjithë territorin e Shqipërisë. Një nga synimet e ndërhyrjes sime ishte mundësia e bërjes së një harte të siteve të dëmtuara në Shqipëri. Nuk ngelet zonë që nuk preket nga ky dëmtimit që nga zona e Shtoit, e Drishtit, deri në pellgun e Korçës, Kolonjës, nekropolin e Apolonisë, në Finiq, luginën e Shkumbinit, përgjatë rrugës ‘Egnatia’. Në disa raste duket krijimi i disa qendrave të rishpërndarjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. Disa nga të pranishmit në konferencë përmendën tregun e Krujës apo objekte që qarkullojnë nën dorë, duke krijuar një treg informal. Bie në sy fakti që iniciativa të institucioneve të veçanta për të përmirësuar gjendjen ka, por nuk ka bashkëveprim. Jemi shumë larg vendosjes e një kontrolli mbi territoret. Është e patolerueshme që makineri të rënda të hyjnë në site arkeologjike në mes të ditës, në sytë e të gjithë komunitetit dhe të mos ndodhë asnjë gjë. Shumë drejtues komunash janë penalizuar për lejimin e mbjelljes së lëndëve narkotike në territoret e tyre, por asnjë nuk është penalizuar për dëmtimin e trashëgimisë kulturore në të njëjtin territor. Shteti shqiptar ka ratifikuar disa konventa për luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, siç është ajo e vitit 1970, por Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është ende larg plotësimit të detyrimeve që përcakton konventa. P.sh., drejtoritë rajonale janë krejt të paafta si në burimet njerëzore, si në ato financiare për të kryer funksionet e tyre, Qendra e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore është ende shumë larg plotësimit të objektivave për dixhitalizimin dhe katalogimin e objekteve. Ka shumë institucione që ende nuk kanë kryer detyrimin ligjor deri më sot. Ne nuk kemi aftësinë për të studiuar tregun e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, por veçanërisht në botë si dhe korridoret e lëvizjes së pasurisë kulturore. Vetëm duke i studiuar dhe duke qenë në një hap para trafikuesve të veprave të artit mund të marrim masa parandaluese. Në rastin e humbjes së objekteve është shumë e vështirë të kthehet në bazë. Interpoli u përpoq të vinte kambanat e alarmit, duke thënë se nuk marrin informacion aq sa duhet nga institucionet e shtetit. Në databazën e tyre ndërkombëtare janë vetëm 39 objekte në kërkim nga Shqipëria.
Ndonjëherë janë hedhur hije dyshimi edhe mbi shumë ekspedita arkeologjike që janë realizuar në të shkuarën....
Ekspeditat shkencore arkeologjike kanë procedurën e tyre rigoroze shkencore të dokumentimit. Nuk mund të hidhet fare hije dyshimi për to. Përvoja ka treguar se atje ku ka gërmime shkencore, nuk afrohen grabitësit klandestinë, sepse për ta arkeologët janë në një farë mënyre prania e shtetit.
Ç’duhet të bëhet për të parandaluar apo ulur ritmet e këtij fenomeni?
Ashtu siç doli nga diskutimet e konferencës, krijimi i një strukture e cila të koordinojë të gjithë informacionin është gjëja më emergjente që duhet bërë. Kjo do të shtonte efikasitetin e presionit që të gjitha strukturat e shtetit, përfshirë dhe pushtetin lokal, të mund të kontrollojnë më mirë territorin. Edhe fushata sensibilizuese ka ndikimin e vet. Nga përvojat që sollën specialistët e vendeve të tjera, edhe të flasësh për trashëgiminë kulturore, dëmtimin që shkaktohet nga trafikimi ka efekt, sado minimal. Pastaj, edukimi që në shkollë duhet të jetë baza. Kjo do të çonte në krijimin e qytetarëve të ndërgjegjshëm që në të ardhmen mund të jenë aleatë në denoncimin dhe parandalimin e trafikimit të veprave.
No comments:
Post a Comment