Pages

Apr 12, 2012

Featured Artist | Ibrahim Kodra

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë sjell nesër në 13 Prill një ekspozitë tjetër vetjake, atë të piktorit Ibrahim Kodra. Veprat e tij kthehen përsëri në atdhe për publikun shqiptar. 


Ibrahim Kodra
Ekspozita me titullin “Shqipëria fantastike" 
do të qëndrojë e hapur nga 13 Prill-20 Maj.

Kjo ekspozitë çelet në bashkëpunim me Fondacionin Kodra në Milano, ku një grup i GKA ka përzgjedhur veprat e tij më të mira. Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano disponon vetëm pak prej qindra tablove të kompozuara nga Kodra, ndërkohë që shumë prej tyre janë shitur derisa ai ka qenë ende gjallë. 


Sipas GKA-së, 50 për qind të veprave të Kodrës ndodhen në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë, kurse gjysma e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra.  


Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 000 vepra, të shpërndara nëpër muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 000 prej tyre janë të regjistruara e të dokumentuara. Ai ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës me piktorët më të njohur bashkëkohorë, si ekspozitë kolektive në “Paradise”, me piktorë si Picasso, Dali, Matta, Ernest, Levi, Panseca, Braque etj. Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Newcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares. Ekspozita në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë etj.  


Ibrahim Kodra ka lindur në Ishëm të Durrësit, në vitin 1918. Ai vdiq në vitin 2006, në Milano të Italisë, ku jetoi 30 vjet. Veprat e tij gjenden në  Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Romë, në Galeri dhe në muze të njohura në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, SHBA, Rusi, etj.


Ibrahim Kodra


**Më pas, ekspozita e radhës në GKA do të jetë ajo e piktorit Lid Delija, gjithashtu në kuadër të 100-Vjetorit të Pavarësisë.



No comments: