Pages

Aug 26, 2011


Nga Sami Starova

Kambanat kanë rënë….

Me një goditje të kazmës hidhen përtokë miliona vite krijim. Varet e rënda i thërrmojnë ato për t’i hedhur rrugëve të baltosura. Ato më me fat zbukurojnë të betonuara ndonjë shatërvan apo fasadë. Ky është fati i stalagtidëve dhe stalagmidëve në Shqipëri.

Në asnjë vend tjetër të botës, nuk mund të imagjinohet një veprim i tillë makabër.



Një shëmbull kuptimplotë i trajtimit
të trashëgimisë kulturore ne vitet 20-40
është kjo statujë që i’u dhurua një inxhinieri
nafte Italian qe punonte në Kuçovë,
nga ekspedita italiane në Apolloni


Në këtë dhimbje që na është quajtur tranzicion, janë zhdukur dhe janë në agoni e sipër qindra qendra dhe pika arkeologjike, që flasin për një kulturë autoktone që nga prehistoria e në vazhdimësi. Vetëm në trevën e Beratit janë 380 vendbanime të tilla.

Shpella, kala (vendbanime të fortifikuara), nekropole (varreza), monumente kulti janë shkatërruar duke bërë vetëvrasjen më të madhe në historinë njerëzore.

Në këto 21 vjet, janë bërë disa “zbulime” militantësh. Njëra ndër ato është dhe rrëmbimi i gjithçkaje tokësore. Këta keqbërës (zaptues) janë të siguruar me heshtjen e pushtetit, të cilit i duhen këta mercenarë gjatë zgjedhjeve.

Ky tërbim, i shoqëruar me plugime të thella, thyerje dhe shkatërrime, ka bërë që në rrethin e Beratit të zhduken qindra vendbanime, e mbi to mbillet grurë, rriten pemë dhe merren rendimente në domate e sallatorë….

Fatmirësisht, unë disponoj një dokumentacion të saktë shkencor, të shoqëruar me foto e filmime për atë fakt, si ka qenë trashëgimia kulturore në trevën e Beratit.

Për të thënë si është sot, do të tmerrohej çdo qenie me shpirt. Në këtë kontekst po jap disa fakte:

- Flasim për shpellat e famshme të Beratit, ndër ato që kanë qenë një mrekulli e natyrës.

Ekzistenca e shumë shpellave, të cilat në rrethin e Beratit kanë qenë 11, lidhet me formacionet gëlqerore (karbonate të kalciumit) që përbëjnë këto shtresa shkëmbore, në të cilat vepron uji.

Në këto shpella, veprimet karstike kanë bërë që të formohen stalagtide dhe stalagmide, e nga bashkimi i tyre shtyllat, të cilat të befasojnë me bukurinë e tyre.

Për krijimin e stalagtideve dhe stalagmideve ka një koeficient gjeologjik, sipas të cilit për një centimetër duhen 1340 vjet. Në bazë të një përllogaritje të thjeshtë del se duhen miliona vjet për krijimin e tyre.

Këto miliona vjet hidhen përtokë nga persona (jo qenie njerëzore normale) të papërgjegjshëm, të cilët i thyejnë ato për ti shitur si zbukurime. Në shpellën prehistorike të Katundasit, banuar 6000 vjet para Krishtit, shtresat kulturore janë zhdukur plotësisht.

Pothuajse të gjitha shpellat e Beratit janë shkatërruar mizorisht, aq sa dhe vandalët do t’i kishin zili.

Një fat akoma më të keq e kanë kalatë (vendbanimet e fortifikuara) të cilat kanë qenë 13 të tilla, Varrezat (nekropolet e tumat) që po zhduken përfundimisht.

Po përmend kalanë e Mbolanit, në të cilën unë drejtova punësimet arkeologjike në vitin 1986, që vërtetuan se kjo kala është ndër më të vjetrat e Shqipërisë, e datohet 9 shekuj para Krishtit.

Mbi këtë kala ka vite që kalon martineli (traktori) me zinxhirë duke bërë plugim të thellë. Vlerat arkeologjike u dërmuan nga goditjet e varesë, muret u zhdukën. Mbi kala lulëzon gruri e pas korrjes së tij e ka radhën misri. Në vend të mureve rrethues kemi breza qershie.

Po këtë fat kanë shumë kala të tjera, duke përjashtuar atë të Beratit e Dimalit, që kanë dëmtime të pjesshme.

Por, çmenduria nuk fal as monumentet e kultit. Kisha palokristiane në fshatin Bilçë të Beratit u zhduk që nga themelet, e mbi atë janë mbjellë e kanë hedhur shtat ullinj.

Masakër e vërtetë është bërë mbi tumën e Salcë-Kozares, që daton në shekullin IX para Krishtit. Janë zhdukur varrezat antike të Kondasit në Berat, që janë të shekullit të gjashtë para Krishtit. Varrezat antike të fshatit Pëllumbas e dhjetëra varreza të tjera janë kthyer në tokë buke.

Të vjen të ulërasësh “deri në kupën e qiellit” por kush të dëgjon!

Brezi ynë që nuk vuri as një gur në altarin e shenjtë të kulturës kombëtare, njollosi veten me shkatërrimin e saj.

Nuk ka ndonjë rast të dytë në botë, ku një popull shkatërron kulturën e vet.

Në shkencën e arkeologjisë përmendet rasti i arkeologut gjerman Shliman, i cili duke dashur të zbulojë varrin e Agamemnonit, prishi trembëdhjetë shtresa kulturore. Për atë është shkruar: “Shliman hyri në arkeologji si një Elefant në një dyqan porcelanesh”

Po për ne çfarë do të shkruhet?!

Më lartë kam argumentuar dhe i kam dhënë përgjigje mesazheve tronditëse të lëshuara nga “këmbanat”, por duhet vlerësuar maksimalisht puna shumë shkencore e arkeologëve shqiptarë.

Ata e vunë mendimin shkencor në nivelet më të larta të shkencës europiane.

Fatkeqësia e tyre është se në Shqipëri investohet shumë pak për shkencën, duke pasur parësor betonin dhe asfaltin.

Për trashëgiminë kulturore shqiptare ecet në vazhdën e viteve 20-40, të shekullit të kaluar, ku të huajt dhe jo shqiptarët, drejtonin ekspeditat arkeologjike, të cilat siç dihet kanë lënë dhimbje të thella.

Në ato vite mungonin specialistët, ndërsa sot, krahas të vjetërve ka dhe shumë të rinj të shkolluar në perëndim.

Bashkëpunimi shkencor me homologë europianë është i nevojshëm, ndërsa drejtimi i ekspeditave nga kolegë jo shqiptarë mendoj se është një teprim.

Shteti ynë i ka të qarta buxhetet për shkencën në SHBA dhe vendet e tjera europiane.

Instituti i Monumenteve të Kulturës që drejtohet nga Akademiku i nivelit Europian, Z. Apollon Baçe, ka nevojë për kompetenca të mëdha ligjore dhe fonde monetare për projektet.

Kompetenca të tilla të ketë dhe Instituti i Arkeologjisë, i cili ka qenë vatra e punës shkencore, por edhe të djepi i një plejade të madhe punonjësish shkencorë. Drejtoresha e këtij institute, Zonja Shpresa Gjongeçaj ka bërë maksimumin me ato pak fonde që ka.

Më lartë u parashtruan shqetësimet e mia, si një arkeolog modest, të cilat dëshmojnë se kambanat për këto shqetësime kanë rënë. Sinjali SOS për vlerat e trashëgimisë kulturore është 21 vjeçar, me kohëzgjatjen më të madhe në historinë sinjalizuese. Ne të gjithë së bashku duhet t’i përgjigjemi, por në veçanti shteti.

Vlerat e një shteti janë të njësuara me nivelin e kujdesit për kulturën e vendit që administron.

Botuar në gazetën Shekulli, dt 26.08.2011

No comments:

Post a Comment