Pages

Apr 15, 2012

Aurora KENGA - Guest Writer

Vajza që nuk nuhaste

U ul në një prej tavolinave në fund te lokalit dhe porositi një kafe dhe një ujë pa gaz.
Disa minuta më vonë erdhi porosia e saj dhe pasi falenderoi kamarierin me anë të një buzëqeshje të mirësjellëshme, pregatiti kafen dhe ktheu një gllënkë të lëngut të zi.
Vështroi orën.
Ai ishte sërish me vonesë edhe pse e dinte mirë që nuk mund të qëndronin shumë gjatë. Sapo e vendosi sërish në tavolinë celularin nga ku pa orën me bishtin e syrit dalloi që ai po i buzëqeshte mbi krye. U ul pranë saj me një buzëqeshje të ëmbël dhe nxorri nga xhaketa një lule.
Ishte një degëz mimoze me lule të verdha që transmetonte të njëjtën forcë dhe ëmbëlsi të ngjashme me rrezet e diellit në atë ditë të bukur pranvere. E pranoi lulen, iu afrua dhe e puthi lehtazi në buzë, por më pas e vendosi thuajse e bezdisur mbi tavolinë larg vetes.
Ai e dinte që ajo kishte lindur pa shqisën e të nuhaturës. Ajo nuk mund të ndjente aromatë këndëshme apo erëra të këqija. As aromën e mimozës së këputur enkas për të nuk mund ta ndjente.
Ai gjest i thjeshtë që do të gëzonte ditën e cilësdo gruaje, përfaqësonte për të një harresë të atyre detajeve që përfaqësonin vetë qënësinë e saj. Megjithatë ajo nuk ishte nga ato gratë që presin shkakun më të vogël për të krijuar një debat që nuk dihet se ku mund të të shpjerë. Nuk ishte frikë por vetëpërmbajtje, kështu që filloi të fliste mbi organizimin e darkës atë mbrëmje dhe mbi oraret e të dyve.
Pas gjysëm ore u gjend sërish në rrugë, mes njerëzve, drejt punës së saj.
Ajo punon në një gazetë lokale dhe për të arritur në zyrat e saj i duhet të përshkojë një park të vogël. Vuri re se pemët tashmë e kishin humbur zbrazëtinë e tyre dimërore dhe nga sythet po ҫelnin lulet e para. Bari ishte kositur me kujdes dhe dukej si një parket i gjelbërt që mbronte këmbët e fëmijëve të cilët luanin plot hare mbi petkun e tij.
Një fllad i ngrohtë pranveror po i përkëdhelte flokët e gjatë e të zinj dhe ajo përpiqej të largonte nga sytë balluket e saj të prera mbi vetulla.
Puna në gazetë i merrte një pjesë të mirë të ditës së saj.
Redaktori e kishte ngarkuar me detyrën që të administronte rubrikën e letrave të lexuesve. U përgjigjej atyre letrave me përzemërsi dhe dedikim, pasi besonte në ato histori dhe në atë dorë që nderej drejt saj në kërkim të një përgjigjeje. Edhe pse për të mbetej i habitshëm fakti se sa shumë këta njerëz i besonin, ndihmës që mund t’u jepte një i panjohur për ta. Ajo e kishte pranuar këtë punë me shumë dëshirë pasi i jepte një kënaqësi të madhe shpirtërore.
Vërtetë nuk ishte në gjendje të ndjente aromërat, por ishte një njohëse e mirë e ndjenjave njerëzore.
Në këtë pjesë, për të mund të thuhej se kishte një hundë mjaft të mprehtë, për të dalluar thelbin e një problemi dhe për t’i dhënë një alternativë zgjidhjeje mëse të kënaqëshme. Një hundë e stërvitur me kalimin e viteve, falë kujdesit që i kushtonte fjalëve dhe emocioneve që ato dëshironin të përҫonin. Arrinte të dallonte dyshimin, habinë kurteshtjen, dhimbjen dhe gëzimin. Pastaj niste të shkruante përgjigjen e saj, me kujdesin e një nëne, që gjithmonë di të japë këshillën e duhur, duke u përpjekur të mos lëndonte asnjëherë askënd.
Në fund të ditës së punës fikte monitorin dhe merrte frymë thellë sikur të donte tyë mbante edhe për pak ҫaste ato emocione brenda saj. Emocione që hera herës ktheheshin edhe në të sajat.
Pa përsëri orën dhe doli me nxitim nga zyra pasi ishte vonë për pregatitjen e darkës.
Muzgu sapo kishte rënë.
Në qiell dallohej vetëm një yll tejet larg she bënte fres, ai freskimi jo dhe aq i lehtë, që në pranverë të jep ende disa drithërima si për të të sjellë ndër mend se dimri ende nuk është larguar tërësisht.
Befas u kujtua.
Mimoza nuk ishte me të.
E kishte lënë në tavolinëe atë paradite.
Ai i kishte dhuruar një lule dhe ajo e kishte braktisur si një dhuratë, e cila nuk meriton as dhe një fije respekti.
U ndje në faj.
Por më pas u inatos me të. Dhurata e tij pa takt i dëshmonte edhe një herë pavëmendshmërinë e tij ndaj saj. Në atë vit të kaluar bashkë nën të njëjtën ҫati, ai vazhdonte t’i dëshmonte se sa nuk e njihte dhe se sa nuk përpiqej që të kuptonte botën e saj. Ndoshta kishte bërë një hap të gabuar, kur kishte pranuar të jetonin bashkë. Para se lidhja e tyre të arrinte në këtë pikë, gjërat ishin ndryshe. Ai kujdesej më shumë, tregonte më ҫka kishte ndryshuar. Ajo e dashuronte dhe besonte në faktin se u duhej ende kohë që të njiheshin plotësisht, prandaj e kishte ndërmarrë atë hap, të rëndësishëm në jetën e saj.
Kur kaloi pragun e shtëpisë me habinë e saj më të madhe gjeti mbi tryezë degën e mimozës (që nuk kishte më të njëjtin shkëlqim si në mëngjes) të mbështjellë në një shall të hollë, të cilin e njihte mjaft mirë.
Ishte shalli i tij.
Aty pranë gjendej edhe një pusullë ku shkruhej: “Ky është shalli im, i lyer me parfumin tim. Sa herë që do të shohësh këtë lule, të veshur prej tij, do të dish që mban aromën time.”
Ajo buzëqeshi.





*Creative Sunday*

No comments:

Post a Comment