Pages

Jun 27, 2012

Takimet Muzikore Të Dy Botëve | Argjiro Festival

 "TAKIMET MUZIKORE TË DY BOTËVE"
T'u japim jetë monumenteve...
Tashmë u bënë gjashtë vjet që  ARGJIRO-ja organizon në kalanë e Gjirokastrës, Festivalin Ndërkombëtar “Takimet Muzikore Të Dy Botëve”. Ky Festival është një projekt unik në Shqipëri sepse përqëndrohet tek ndërthurja e muzikës klasike me atë tradicionale, si dhe trashëgiminë fizike shqiptare, kalanë e Gjirokastrës dhe atë shpirtërore, siç është muzika polifonike shqiptare, me muzikën klasike. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.
Ajo që mua më duket thelbësore, është se “Takimet Muzikore Të Dy Botëve” mbartin identitetin tonë dhe u japin jetë monumenteve, por dhe shpirtit tonë, duke nxjerrë në pah jo vetëm vlerat tona kombëtare, po dhe vlerat e kombeve të tjera. Kalaja e Argjiros, është shndërruar një vendtakim, aty ne takojmë të tjerët, aty tradita takon ekselencën, aty vlerat tona takohen me vlerat e tjera,  aty shkëmbehen eksperiencat, për të krijuar në këtë mënyrë një sinergji vlerash për të cilën vendi ynë ka shumë nevojë.

Në një moment kur mendimet dhe shpresat tona lëkunden, kultura jonë është mbështetja më e mirë për të ndërtuar së bashku rrugët e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të një qytetërimi të qëndrueshëm. Në periudha krize dhe çorientimi vlerash, çdo komb ka nevojë për një orientim ndaj vlerave të vërteta sepse në fund, njeriu gjithmonë ka nevojë të rikthehet tek identiteti i vet, gjë që s’është aspak një fakt nostalgjik, por mënyra më e mençur për të ripërtërirë forcat dhe për të ecur i sigurt drejt një të ardhmeje të suksesshme dhe drejt një marrëdhënieje të qytetëruar me veten dhe me të tjerët. Madje, pikërisht kjo është shenja më e mirë dalluese e kulturave të mëdha, e qytetërimeve të mirëfillta, të cilat kanë çfarë t’i komunikojnë njerëzimit në çdo kohë dhe ne besojmë se kultura shqiptare është pa asnjë dyshim e tillë.

Këtë vit kalaja do të marrë jetë sërisht nga zërat e mahnitshëm të polifonisë sonë me grupin Ergjëria nga Gjirokastra dhe Zërin e Bilbilit nga Saranda,  të ndërthurura këto çdo natë me  tingujt e muzikës klasike, që nga ajo baroke tek  kontemporania që do të sillen me mjeshtëri nga artistët francezë të grupit Des Equilibres, nga trio italiane Concordia Sonorum, si dhe nga orkestra simfonike kanadeze West Coast Symphony Orchestra nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj
Stafi organizues i Festivalit, ashtu si ka dhënë prova dhe në edicionet e para të suksesshme, jep të gjitha garancitë për një organizim profesional dhe me prurje cilësore muzikore të artistëve pjesëmarrës.
Ilda Mara, Presidente






poster by diagstudio

No comments:

Post a Comment