Pages

Jul 11, 2012

Revista Art & Trashëgimi | Tirana - Rikthimi i Muzave



Ka dalë në treg numri i katërt i revistës periodike “Art & Trashëgimi”, kushtuar qytetit të Tiranës.
Në këtë numër do të gjeni pjesë të historisë mijëravjeçare të këtij qyteti, konceptuar si një dosier, ku përfshihet arti, kultura, tradita tregtaro-ekonomike, monumentet historike dhe ato të kultit, si dhe personalitetet dhe figurat e shquara që ka nxjerrë ky qytet.
E konceptuar si një revistë dygjuhëshe, në shqip dhe anglisht, “Art & Trashëgimi” synon të promovojë historinë dhe kulturën e vendit tonë, për ta sjellë atë sa më pranë publikut vendas dhe të huaj.
Ky botim do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ata që duan të rizbulojnë gjurmët e procesit transformues të Tiranës. 
Në këtë numër të “Art & Trashëgimi” kushtuar Tiranës, do të gjeni artikuj e studime të shumë personaliteteve të njohur të fushës së artit, kulturës, letrave, historisë, si Aleksandër Meksin, Sulejman Dashin, Ardian Marashin, Emin Rizën, Gjerak Karaiskaj, Valter Gjonin, Fatos Baxhakun, etj.

Art & Trashëgimi”  është botim i organizatës “Argjiro”, në
bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Ilda Mara
Drejtoreshë e Revistës Art & Trashëgimi  
 « Një tok plepash të gjatë shënuan ardhjen në Tiranë, në qytet të kopshteve, ku çdo shtëpi është si e fshehur në mes të pemëve e të luleve, në këtë qytet të përmbledhur e të qetë, i cili s’duket para se të shkelësh në prag të tij. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, megjithëse e vendosur në një pozicion me bukuri të rrallë natyrore, është e rrethuar me male nga të katër anët. » shkruan Faik Konica.

Një oaz paqeje, është përshkruar Tirana nga kalimtarët e të gjitha kohërave, megjithëse sot zhurmat e metropolit shqiptar ta prishin pak përhumbjen nostalgjike të Tiranës së dikurshme,  por  Tirana ka ende ato « skutat e saj magjike », ku si në çdo kryeqytet të botës mund të shëtisësh mes historisë dhe mitologjisë.  Janë pikërisht këto vende të lëna jashtë objektivit, si urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes që mund të diktojnë një portretizim ndryshe të Tiranës.
Në parkun e Pallatit  të Brigadave,  dikur rezidenca e familjes mbretërore, tek sodit muzat e Apollonit, ndihesh në paqe, një ndërthurje e të bukurës, historisë dhe natyrës. Në mitologjinë greke muzat, nëntë vajzat e Zeusit, konsiderohen si ndërmjetëse mes zotit dhe poetëve, e pikërisht kur sodit parkun magjepës të Tiranës të krijohet një ndjesi se koha ka ndaluar, dhe ti je vetëm i rrethuar nga natyra dhe monumentet. Një kopsht i vërtetë mitologjik, i ndërtuar  në vitin 1936, sipas modelit të Tempullit të Muzave nga skulptori italian Antonio Maraini.

Tirana me një histori relativisht të re, me pozicionin e saj qëndror si një pikëtakim aksesh të rëndësishme të komunikimit mes Lindjes, Perëndimit, Veriut dhe Jugut, u zgjodh  kryeqendra administrative e Shqipërisë në vitin 1920. Tirana moderne shndërrohetohet çdo ditë, e kaluara dhe e ardhmja s’kanë pothuajse aspak lidhje, metropoli shqiptar identifikohet nga ndërtesat dhe monumentet e qëndrës. Tirana të përngjan me një qytet që qëndron mes ëndrrës dhe realitetit, plot histori luftërash, përpjekjesh, dashurish.  Por mbase duhet një shikim ndryshe,  reflektim i kohës dhe i kujtesës ndaj vlerave dhe gjurmëve të lashtësisë që ajo mbart në pellgun e saj : si Varri i ashikut, Tyrbja e nuseve, kalaja e Petrelës, shkallët e Tujanit etj. Janë pikërisht  këto vende që e rrethojnë si aureolë qytetin  duke shpalosur një dimension tjetër  të Tiranës. « Një truall ku jeta dhe vdekja rrijnë të pezullta në një mjegull irreale e ku është aq ëmbël të heshtësh e të dëgjosh ritmin e gjërave të rrjedhshme në një paqe pa emër… » të tillë do ta përshkruante Italo Sulioti Tiranën.

Në këtë numër të revistës periodike Art & Trashëgimi, jemi përpjekur ta shfaqim Tiranën ndryshe, të sjellim tek lexuesi  dritë-hijet  e kryeqytetit shqiptar, cilat janë origjinat e Tiranës, lashtësia e saj, si u ndërtua Tirana, si u bë kryeqytet, toleranca dhe bashkëjetesa fetare, historitë mesjetare të dashurisë, legjendat përreth saj, arti në kohën e komunizmit, traditat muzikore dhe veshjet karakteristike, njerëzit dhe personazhet që e bënë Tiranën. Pasuria e një portreti historiko-kulturor e artistik të një qyteti e bën një ndërrmarje të tillë tepër komplekse, por të arrirë. Ky botim do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ata që duan të rizbulojnë  gjurmët e proçesit transformues të Tiranës.


No comments:

Post a Comment