Pages

Nov 28, 2012

Revista Art & Trashëgimi | Vlora - Nimfa e Mesdheut

Ka dalë në treg numri i pestë i periodikut Art & Trashëgimi, kushtuar qytetit të Vlorës. Në këtë numër do të gjeni pjesë të historisë mijëravjecare të këtij qyteti, konceptuar si një dossier, ku përfshihet arti, kultura, tradita tregtaro-ekonomike, monumentet historike dhe ato të kultit, si dhe personalitetet dhe figurat e shquara që ka nxjerrë ky qytet. E konceptuar si një revistë dygjuhëshe, në shqip dhe anglisht, Art & Trashëgimi synon të promovojë historinë dhe kulturën e vendit tonë, për ta sjellë atë sa më pranë publikut vendas dhe të huaj. 
Pas viteve të gjata të izolimit, tashmë jeta kulturore po merr një zhvillim të qëndrueshëm. Pjesë të së shkuarës po rizbulohen, shprehjet kulturore po shpalosen në forma dhe rrafshe të ndryshme, modernja ka zënë vend. Jam e bindur që në Austri, në të ardhmen, do të dëgjojmë shumë për artistët shqiptarë. Revista “Art & Trashëgimi” jo vetëm i dokumenton këto oferta kulturore shumë interesante, por dhe i bën ato të njohura botërisht. shkruan në parathënien e këtij numri Elisabeth Gehrer, ish-ministre e kulturës dhe e arsimit të Austrisë.
Në editorialin e revistës, Kryebashkiaku i Vlorës, z. Shpetim Gjika, shprehet se Vlora është “themeli i shtetit shqiptar”. 100 vjetë më parë, Vlora  ishte toka e duhur për të lëshuar farën e mëvetësisë, sovranitetit, prosperitetit të bijve të shqipes. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm historik. Rrënjët e shtetit shqiptar  u hodhën në Vlorë dhe ndaj ne pas 100 vjetësh, megjithë furtunat e forta që kemi kaluar nga pushtimet e deri tek anarkitë e tmerrshme, jemi ende në këmbë pasi kjo tokë di ta mbajë fort këtë pemë që quhet Pavarësi. Një moment i rëndësishëm në historinë e Vlorës është Deklarata e Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, nga Ismail Qemali, që shënoi fundin e 500 viteve  të sundimit Osman në Shqipëri. 
Pasuria e një portreti historiko-kulturor e artistik të një qyteti e bën një ndërrmarje të tillë tepër komplekse, por të arrirë.  Vlora që na sjell ky botim, është ajo e shfaqjes së qytetit, e gjurmëve të para, e historisë së tij, nëpërmjet historive të personazheve që e bënë këtë qytet. Tek rrëmoj në librat e historisë për Vlorën, tek përshkoj shkrimet e Emin Rizës, Aleksandër Meksit, Neritan Cekës, Bardhosh Gaçes, Norvruz Bajramajt, Fatos Baxhakut, Nevila Nikës, etj, mendja me vete tek një shprehje e filozofit francez Bernard de Chartres: “Ne jemi xhuxha mbi supet e gjigandëve. Dhe ne shohim më larg se ata, jo sepse e kemi shikimin më të mprehtë apo shtatin në të gjatë, por sepse ata na mbajnë lart dhe nga ngrenë me lartësinë e tyre gjigande”.  Ky botim është një kontribut modest në ruajtjen e historisë dhe vlerave të Vlorës e që do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ata që duan të rizbulojnë historinë e saj. shkruan drejtoresha e Art & Trashëgimi, Ilda Mara.
Ky botim shoqërohet me një CD me këngë të përzgjedhura nga iso-polifonia labe nga studiuesi dhe akademiku Vaso Tole.

Numrin e pestë të këtij botimi periodik mund ta gjeni në çdo librari.

Art & Trashëgimi është botim i organizatës ARGJIRO, në bashkëpunim me Qëndrën e Studimeve Albanologjike. Ky është numri i 5-të i kësaj reviste, ndërkohë që katër numrat e parë i janë kushtuar përkatësisht qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Tiranës



No comments:

Post a Comment