Pages

Sep 14, 2018

Gentle Manifest | Diçka (për) rreth (nesh)

About Us (II)

Një nga qëllimet e kësaj faqeje është të çmitizojë:
(dmth)
Ajo mundohet të hedh poshtë mitet totale, ata që vendosen nga lart-poshtë dhe që pranohen nga të gjithë si të vërteta të plota — paçka se janë të rreme. E bën këtë thjesht duke vënë në pyetje padiskutueshmërinë e tyre, tashmë të normalizuar. Pyetjet që shtron mund të jenë të shumta, por aspak të tepërta. Ashtu siç një vepër mund të ketë disa përkthime, faqja i sheh këto pyetje si përkthime të ndryshme të kryeveprës së mitit — (dmth) më tepër si metodë përkthimi sesa interpretimi, apo një lloj interpretimi nëpërmjet përkthimit (if you will). Pyetjet si përkthim(e) duan të kuptojnë dhe të komunikojnë realitetin apo racionalizimin e mitit, sa më objektivisht, (dmth) pa ofruar përgjigje që s’i di, por duke patur (gjithmonë) parasysh se një farë subjektiviteti është i pashmangshëm (innate). Pra, ato mundësojnë (disa) realitete të ndryshme që mund të jenë ndrydhur apo dhe shuar nga gllabërimi formal i mitit, i realitetit që ai përcakton dhe projekton (design(ate)s) — që ai i jep formë. 

E di që mbase tingullon çuditshmëm, por këto janë realitetet reale, vërtetësia e të cilave qëndron në vetë faktin që ato vazhdojnë të mbijetojnë, edhe pse shpesh herë vetëm si fragmente të pangjashme. Ky është çmitizimi për të cilin flas — vënia në dyshim, nxitja, sfidimi, apo dhe kundërshtimi — nëpërmjet pyetjeve — i realitetit të vetëm (total) të mitit, i formës së autorizuar të tij, nga krerë — ndaj, dhe emërtimi i tij kryevepër. 

Nëse e shohim mitin si një largim apo izolim nga realiteti, një tjetërsim të realitetit që përjetojmë vetë dhe jo atij që na thonë se po e jetojmë (alienation) — atëherë, çmitizimi mund të kuptohet si një mënyrë çfamiljarizimi (estrangement) me realitetin despotik mitologjik. Prandaj dhe ngadonjëherë pyetjet apo pikëpamjet e faqes mund të duken pak uncanny, por i njëjti argument mund të bëhet dhe për çuditshmëritë që dëgjojmë në mitet e rradhës sot apo për ata që kemi besuar deri më sot. 

Nuk janë mite vetëm ata 5000, 500 apo dhe 50 vjeçarë, por dhe ata 5 vjeçarë, 5 mujorë apo dhe javorë. Fjala është për ata mite që vijnë nga lart-poshtë — ose më mirë, pyetjet janë për ata mite që pasi frymëzohen (pse jo, dhe që mund të shfrytëzohen) jashtë apo lart, zbresin — apo bien si stuhia që s’ke ç’i bën; apo mos hidhen fare si rrufe, nejse s’ka rëndësi si vijnë, por si formohen dhe si materializohen nga hiçi në një trup dhe hapësirë gjithpërfshirës(e). Mbase s’ka rëndësi nga vijnë, ashtu siç nuk kemi ç’ti bëjmë Nënës Natyrë kur materializohet, kur na përmbyt shiu në dimër dhe djersa në vapë. Mbase dhe kemi ç’ti bëjmë, dhe madje shumë — por dhe mund të jetë tepër vonë — s’i dihet — s’e dimë akoma. 


Po nuk mësuam si të bashkëjetojmë me të pa e zaptuar, dhe pa rrafshuar ekologjitë që ajo mundëson, atëherë po, që s’do kemi ç’ti bëjmë. Një mënyrë e të mësuari është çmësimi i jetesës imponuese që kemi ndërtuar në të, ashtu si dhe qëndrimit mbizotërues apo sjelljes sunduese ndaj saj. Ky çmësim është një mënyrë rimësimi, proper. Ashtu si dhe çmitizimi është një riparim realitetiti dhe racionaliteti — edhe pse nëpërmjet mënyrave jo aq racionale (si uncanny). “Ç” (un-) është një rezistencë e vazhdueshme ndaj mitizimit të përhershëm dhe realiteteve tona tashmë të brishta. Të paktën, Nënën Natyrë e shohim, e presim, e ndjekim, e ndjejmë, e vuajmë (në kohë reale), por miteve (“Babë(zi)ve Krye”) që formohen në një hapësirë abstrakte, në një vertikalitet midis resë dhe territorit — në një distancë virtuale që duket sa e lirë aq dhe e pafund, që s’duket, s’pritet dhe s’ndiqet hiç, por ama ndihet dhe vuhet akoma më shumë — kudo dhe kurdo — si t’ia bëjmë atyre?!

No comments: