Jul 10, 2013

Public Space | The Global Street

A few days ago, I was reading an article written by Saskia Sassen, The Global Street: Making the Political

Below, I have selected (and translated) a few excerpts that summarize or shed light on the importance of public space not only from an urban perspective, but as a visible power for human rights and democratic governance. 

As architects and designers, this is something we should really consider and be sensitive to when designing spaces that are truly public.

‘‘ The aim of this article is to open up a larger conceptual field to understand the complex interactions between power and powerlessness as they get shaped in urban space. Sassen argues that the city makes visible the limits of superior military power and, most importantly, that cities enable powerlessness to become complex, not simply elementary. In this complexity lies the possibility of making history and remaking the political. The question of public space is central to giving the powerless rhetorical and operational openings. But that public space needs to be distinguished from the concept of public space in the European tradition. This leads to the concept of The Global Street.’’
Thus, when discussing about or learning from the current wave of protests, think about the city and how its public space makes visible the powerlessness, how it enables it to become more complex and resilient, to become a larger and more capable ecology, to make history and remake the political, the right way, the democratic way.

*****
Para disa ditësh, po lexoja një artikull mbi hapësirën publike, ku protestat popullore këto vitet e fundit e kanë shndërruar rrugën nga një hapësirë urbane në një hapësirë globale, mjaft vokale, komplekse dhe të aftë në kërkimin, krijimin dhe realizimin e politikave të reja demokratike si dhe ndryshimin historik. 

Më poshtë, kam zgjedhur (dhe përkthyer) disa fragmente që përmbledhin apo hedhin dritë mbi rëndësinë e hapësirës publike jo vetëm nga pikëpamja urbane, por si një fuqi e rëndësishme për të drejtat e njeriut dhe qeverisjen demokratike.

Kjo është diçka që duhet konsideruar vërtet, sidomos nga (ne) arkitektët dhe urbanistët – të jemi më të ndjeshëm në projektimin e hapësirave që janë me të vërtetë publike. 

Artikulli është shkruar nga Saskia Sassen, dhe titullohet Rruga Globale: Bërja e Politikës.

Abstrakt

Qëllimi i këtij artikulli është të hapë një fushë më të gjerë konceptuale për të kuptuar ndërveprimet komplekse midis fuqisë dhe pafuqisë ndërsa formohen në hapesirën urbane. Sassen argumenton se qyteti nxjerr në pah limitet e fuqisë superiore ushtarake dhe i jep mundësi pafuqisë të bëhet komplekse, jo thjesht fillestare. Në këtë kompleksitet qëndron potenciali për të ndryshuar historinë dhe ribërë politikën. Çështja e hapësirës publike është kyçe për ti dhënë pafuqisë shanse retorike dhe operative. Por, kjo hapësirë publike duhet të dallohet nga hapësira publike në konceptin tradicional europian. Prandaj dhe i drejtohemi konceptit të Rrugës Globale.
Parathënie

Ndeshjet dhe demonstratat në rrugë janë pjesë e modernitetit tonë global.
Sassen argumenton se rruga, dhe më konkretisht rruga urbane si hapësirë publike, duhet të dallohet nga nocioni klasik europian i hapësirave më ceremoniale për aktivitete publike, si piazza apo bulevardi. Hapësira e ‘rrugës’, që natyrisht përfshin sheshin dhe çdo vend të hapur, është një hapësirë më bazike, e zhveshur nga formalitetet apo ceremonitë. Ajo mund të konceptohet si një hapësirë që mundëson krijimin e formave të reja shoqërore dhe politike. Me pak ekzagjerim konceptual, mund të themi se politikisht, 'rruga dhe sheshi’ përcaktohen ndryshe nga 'bulevardi dhe piazza': të parat sygjerojnë veprim kurse të fundit, ceremoni.
Pra, rryma e fundit e protestave në rrugë ka një cilësi të kohës (epokale). Të paktën një moment strategjik i dimensionit politik ndodh në hapësirën e ‘rrugës’– në rrugën urbane, jo atë rurale apo periferike. Qyteti është një hapësirë akoma më e madhe që i mundëson këto protesta dhe që na lejon të shohim cilësitë e tyre histori-bërëse. Por shtrirja më e gjerë dhe shkaku i këtyre konflikteve është shtyrja drejt pabarazisë, dëbimeve nga banesat dhe mbijetesës, korruptimit të klasave politike, babëzisë së shthurrur, si dhe drejt përleshjes më të rëndësishme, shtypjes ekstreme. 
Kur Pafuqia Bëhet Komplekse

Qyteti është një hapësirë ​​ku të pafuqishmit bëjnë histori. Kjo nuk do të thotë se është hapësira e vetme​​, por është pa dyshim kritike. Prezenca dhe vizibiliteti publik mund të ndryshojë karakterin e pafuqisë. Autorja bën një dallim midis llojeve të ndryshme të pafuqisë. Pafuqia nuk është thjesht një gjendje absolute që mund të rrafshohet në mungesë të pushtetit. Në kushte të caktuara, pafuqia mund të bëhet komplekse dhe mund të ndryshojë politikën, shoqërinë civile, apo historinë. Ka një dallim mes pafuqisë dhe padukshmërisë.
Nocioni se pafuqia mund të bëhet komplekse, mund të përdoret për të karakterizuar një gjendje që nuk është tamam fuqizim. Pafuqia mund të jetë komplekse, edhe nëse nuk ka fuqizim.
Historikisht, tejkalimi i konflikteve urbane ka qenë shpesh burim për rritjen e shoqërisë civile.

Kjo në vetvete s’është urbane, por konfliktet dhe shoqëria civile marrin forma veçanërisht të forta dhe të lexueshme në qytetet e mëdha. Shohim një mundësim të pafuqishmëve: hapësira urbane e bën pafuqinë e tyre komplekse, dhe në këtë kompleksitet qëndron mundësia për arritje politike dhe qytetare.
Nuk është e njëjta gjë kur njerëzit përballen me forcat e armatosura në një fushë të hapur vs. në një hapësirë të dendur urbane.
Qyteti: Rikthimi i tij si Objektiv për Ngjarjet e Mëdha Botërore
Në kohën e globalizimit, qyteti është kthyer në një vend strategjik për të kuptuar disa nga tendencat e reja kryesore në rikonfigurimin e rendit shoqëror. Qyteti dhe rajoni metropolitan janë një nga hapësirat ku trendet kryesore, jo vetëm urbane por dhe ato makro globale, materializohen. Qyteti mund të jetë vetëm një moment në kompleksitetin e trajektoreve multi-lokacionale, por është një moment strategjik.

Qyteti ka qenë prej kohësh një vend eksplorimi dhe ballafaqimi për shumicën e çështjeve shoqërore, por jo gjithmonë një hapësirë deduktive – ​e aftë për të prodhuar njohuri rreth disa prej ndryshimeve më të mëdha të kohës. Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, studimi i qyteteve ka patur si bazë sociologjinë, duke u konfrontuar kështu me proçese masive si – industrializimi, urbanizimi, si dhe një formacion i ri kulturor i quajtur ‘urbanitet’. Pra, nuk ka qenë thjesht një studim urban, por një studim i proçeseve më të mëdha sociale të kohës.

Që atëherë, pak nga pak qyteti filloi të humbasë rolin dhe privilegjin e tij si objektiv i disiplinës apo prodhues i kategorive kryesore analitike. Arsyet kanë qenë nga më të shumtat, por ndër më të rendësishmet mbeten problemet në zhvillimet e duhura metodike dhe statistikat e shkencave sociale. Qyteti nuk ishte më një bosht për ndryshimet e kohës dhe (si i tillë) një vend strategjik për hulumtimin e proçeseve jo-urbane. Studimi i tij po shndërrohej gjithnjë e më tepër në një studim ‘problemesh sociale.’

Rishfaqja e qytetit sot, si vend hulumtimi për dinamikat më të mëdha bashkëkohore, është evidente në disiplina të shumta si – sociologjia, antropologjia, gjeografia ekonomike, studimet kulturore, dhe kritika letrare. Në këtë epokë globale, ekonomia urbane dhe rajonale adresohet në mënyra që shkojnë përtej formave të vjetra të ekonomisë urbane. Globalizimi ka mundësuar zhvillimin e teknologjive të reja të informacionit, intensifikimin e dinamikës trans-nacionale dhe asaj trans-lokale, si dhe forcimin e prezencës dhe zërit të diversitetit socio-kulturor. Këto tendenca nuk përfshijnë te gjitha kushtet sociale, përkundrazi, pjesa më e madhe e realitetit shoqëror vazhdon t’iu pergjigjet tendencave më tradicionale tashmë të vërtetuara. Por, edhe pse këto trende janë akoma të reja dhe nuk mund të kufizohen nga kushtet urbane, ato janë strategjike në percaktimin e mënyrave të reja për ta bërë qytetin një vend kyç për hulumtimet e tendencave urbane dhe jo – urbane.
Fizika Sociale e Qytetit: Nxjerrja në Pah e Limiteve të Forcës Ushtarake

Historikisht, qytetet kanë qenë vende konfliktesh – racizme, urrejtje fetare, dëbime të të varfërve . Në të njëjtën kohë, ato kanë demonstruar gjithmonë një kapacitet për zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet tregtisë dhe aktivitetit civil; duke kundërshtuar kështu historinë e shtetit kombëtar modern, i cili deri tani ka tentuar të militarizojë konfliktin.

Zhvillimet e mëdha globale, po i shnderrojnë qytetet në terrene për një gamë akoma më të gjerë konfliktesh të reja. Një vektor i tillë, tëepër kritik është feja – jo vetëm si ‘shkak’ por dhe si pasojë e konflikteve në qytet. Këto konflikte nuk janë urbane në vetvete, edhe pse qyteti është një vend kyç për materializimin e sensibilitetit fetar në një konflikt aktual.
Prandaj ngrihet pyetja nëse qytetet po humbasin kapacitetin për të zgjidhur konfliktet me anë të tregtisë dhe aktivitetit civil, si dhe të shmangin militarizimin e tyre. Përmes migrimeve dhe dëbimeve masive, qytetet e mëdha shpesh herë kanë qenë hapësira mikpritëse ndaj diversiteve fetare, etnike, kulturore dhe monetare; hapësira keto, me një lloj bashkëjetese paqësore për periudha mjaft të gjata kohe.
Rrjedhimisht, konflikti nuk ekziston midis këtyre diversiteteve, por në një gjendje më të madhe sistemike, brenda së cilës qyteti mund të shndërrohet nga një hapësirë që mundëson një bashkëjetesë të frytshme, në një hapësirë ​​që kontribuon në konflikt dhe urrejtje. Në të dyja rastet, qyteti mobilizon aftësi të veçanta: marrëdheniet me komshinjtë mund të jenë pozitive ose negative, ashtu si dhe realiteti i jetës në lagje. Të njëjtët individë mund ti përjetojnë të dyja rastet, madje dhe ti ndryshojnë ato. Hapësirat e dendura urbane mund të na mesojnë një lloj diversiteti kolektiv, ose mund të kthehen në vendbeteja të pergjakshme. Qyteti si një sistem kompleks mund ta shndërrojë një sëmundje në epidemi, ose mund të gjenerojë një ‘epidemi pozitive.’

Pra përsëri, historia na tregon limitet e pushtetit. Vendimet e njëanshme të fuqive të mëdha nuk janë te vetmet burime kufizues. Ndërvarësi të tjera veprojnë në të njëjtën mënyrë​​. Qyteti është një regjim i dobët që mund të pengojë dhe të ndryshojë kapacitetin destruktiv të fuqisë superiore ushtarake –një tjetër komponent i mbijetesës sistematike në një botë ku disa shtete kanë aftësinë të shkatërrojnë planetin. (Sassen, 2010 dhe Sassen, 2008, k. 8)
Në këto kushte, qyteti është jo vetëm një teknologji për përmbajtjen e fuqive konvencionale ushtarake por edhe një teknologji rezistence për kryengritjet e armatosura. Fiziku social i qytetit, karakteri material dhe njerëzor i tij, përbëjnë një pengesë për ushtritë konvencionale – një pengesë e ndërthurur në vetë hapësirën urbane.
Limitet e Teknologjive të Fuqishme të Komunikimit
Përtej çështjeve komplekse të normave, qyteti gjithashtu nxjerr në pah kufijtë dhe potencialin e parealizuar të teknologjive të komunikimit si Facebook-u.
Hapësira e Facebook-ut në vetvete përshkruhet sot si pjesë e jetës sociale për shumicën e abonentëve të tij. Por aftësia e rrjetit të përfshirë nuk mund ti kufizohet vetëm këtij funksioni. Ndryshimet e mobilizuara nga ekologjitë online tregojnë një gamë shumë të gjerë përdorimesh apo praktikash.
Potenciali i mediave dixhitale për aktivistët e një vendi specifik, të interesuar në çështje lokale jo globale, thekson krijimin e ekologjive më të mëdha, të cilat do të jenë ndryshe nga ato që i pergjigjen një interesi global. Për shembull, aktivistët lokal që angazhohen me problemet e veçanta në secilin vend, mund të krijojnë një lloj globaliteti që nuk varet nga komunikimi mes tyre.
Kjo sygjeron një lloj imagjinate ku komunikimi aktual ështe pika e tretë e një trekëndëshi - pjesë e një ekologjie që krijon diçka më shumë se thjesht komunikim midis pjesëmarrësve.
Prandaj dhe shtrojmë pyetjen: Si munden mediat e reja sociale të krijojnë aftësi që shkojnë përtej komunikimit të thjeshtë, duke u bërë kështu më komplekse dhe të fuqishme?

****
Kur të diskutoni për apo të mësoni nga protestat e fundit, kini parasysh qytetin dhe mënyrat si hapësira e tij ​​publike nxjerr në pah pafuqinë, si e mundëson të bëhet më komplekse dhe e qëndrueshme, të formojë një ekologji më të madhe dhe më të aftë, që të ndryshojë historinë dhe të ribëjë politikën, ashtu siç duhet, në mënyrë demokratike.

tags: public space, paradoxesdensity, participation, utopia, architecture in albania, squatting,slums,

***************************************************************

No comments: