Pages

Aug 13, 2011



MURI I BERLINIT NGRIHET SËRISH


Ndërsa ne po shkatërrojmë Piramidën, gjermanët, pas 20 vitesh po nisin të rindërtojnë Murin e Berlinit, kosto që ka vajtur deri tani 27 milionë euro. Jo vetëm për motive turistike, por, “simbolet” e së shkuarës duhet të mbahen të paprekura, para syve, që të mos përsëritet!

Asnjë mur si ai i Berlinit nuk ka arritur të mishërojë në mënyrë kaq unike konceptin e izolimit dhe ndarjes në gjithë historinë e kohës tonë. Këtë nëntor mbushen plot 22 vjet nga rënia e tij, e megjithatë, a ka mjaftuar kaq kohë për të mbyllur plagët, në mos, për t’i shëruar disi ato?!


Nga Berlini Neraida Sula

Rruga më e famshme në Berlinit lidhur me murin, quhet Bernauer Straße, në Berlin Mitte, një pjesë që mban veshur gjithë historinë e 28 viteve izolim nga perëndimi. Duke ecur përgjatë saj kupton se koha këtu nuk ka ngecur, por ka ecur me hapa tmerrësisht të ngadaltë. Nëse doni të shikoni si ka qenë Berlini gjatë ndarjes, shkoni në Bernauer Strasse. Nuk është habi që mes banorëve të vjetër të të kapë syri dhjetra grupe turistësh të impresionuar nga fryma tipike lindore e kësaj lagjeje me rrugë të asfaltuara pas luftës, me trotuarë dekoruar me pllaka tipike të realizmit socialist e pallate banimi 5 katëshe. Diku afër ka dhe një treg me gjëra të përdorura. Gjthçka të tregon se je në lindje. Kur Berlini u nda në dy pjesë, Bernauer Strasse do të kthehej në skenën e arratisjeve më të dhimbshme të gjithë historisë së Murit. Shumë prej dritareve të banesave që ishin rrethuar nga muri, binin në anën tjetër të rrugës, në zonën që i përkiste perëndimit, ndaj hedhja nga dritarja për t’i shpëtuar lindjes e për t’u futur në perëndim, u bë zgjedhja e shumë banorëve të kësaj rruge. Shumë prej tyre e paguan me jetë këtë arrati. Kuptohet që shumë shpejt dritaret u murosën dhe më pas këto ndërtesa u shembën. Megjithatë kaq mjaftoi që kjo rrugë të humbiste anonimatin mes toponimeve të shumta berlineze. Gjatë shëtitjes në Bernauer Strasse e ke të pamundur të mos mendosh se teksa në Tiranë po duan të zhdukin nga kujtimet tona Piramidën, gjermanët po rindërtojnë plagën e tyre më të madhe pas kampeve të përqëndrimit, Murin e Berlinit. Dhe kjo po ndodh pikërisht në këtë rrugë, ku që prej tetorit të kaluar u mor vendimi për ringritjen e murit. Ideja fillestare ishte të rindërtonin një pjesë shumë të vogël të murit në versionin e tij të parë, vendim që u kontestua ashpër nga opozita dhe opinoni publik. Tani që prej dhjetorit, qindra shufra alumini vazhdojnë të ngrihen pikërisht aty ku më parë rëndonin blloqe betoni të murit origjinal. Vargu i cili tani ka arritur gjatësinë e 1.2 km, i ka kushtuar qeverisë gjermane afro 27 milionë euro.

Megjithse gjithçka është gati për përurimin e tij më datë 13 gusht, shumë prej banorëve të qytetit rrudhin ende buzët për këtë shpenzim stratosferik. Një zonjë e moshë e cila sheh mendueshëm pjesën e rikonstruktuar thotë: “Nuk e kuptoj pse duhet ta rindërtojnë, vetëm ata që e kanë jetuar vetë mund ta kuptojnë rëndësinë e tij. Unë personalisht nuk dua ta shoh më, qoftë edhe kështu artistikisht me shufra hekuri”. Ndërsa një turiste e pytur për arsyen e vizitës shprehet: “Kam ardhur këtu t’i tregoj fëmijëve të mi historinë që ka jetuar populli im, meqënëse jam me origjinë gjermane. Sot këta thjesht habiten, por kur të rriten do ta vlerësojnë vizitën e murit”.

E megjithatë kjo pjesë e murit numëron afro 500 mijë vizitorë në vit, kjo ngase këtu ruhen ende me shumë kujdes 212 metra nga muri origjnal.

Por çfarë i shtyn këta qindra mijëra vizitorë që të shohin e të fotografojnë vetë objekte që i përkasin një të shkuare të dhimbshme. Kësaj pyetjeje i përgjigjet dr. Julia Obertreis, profesoreshë e Departamentit të Historisë në Universitetin e Freiburgut në Gjermani. – “Mendoj se kemi vërtetë shumë kujtime nga Muri i Berlinit, kujtime që siç e shihni ruhen ende gjallë. Tashmë edhe historia ka rënë pre e komercializimit, megjithatë këtu nuk ka asgjë të keqe. Ajo çka i shtyn njerëzit të shohin apo të prekin nga afër këto objekte është nevoja për t’u përballur personalisht me të kaluarën. Vetëm kështu ne e përtypim të kaluarën tonë dhe e zhveshim disi atë nga rëndesa dhe serioziteti që mund të ketë pasur.“

Muri ka rënë prej 22 vjetësh, por në një farë mënyre vazhdon të jetë ende aty. Arsyeja që i mban ende ngritur këto pjesë dhe që e shtyu qeverinë ta rindërtonte atë, është mëse e qartë… gjermanët nuk duan dhe nuk munden kurrsesi të harrojnë!

Asnjë mur si ai i Berlinit nuk ka arritur të mishëroje në mënyrë kaq unike konceptin e izolimit dhe ndarjes në gjithë historinë e kohës tonë. Këtë nëntor mbushen plot 22 vjet nga rënia e tij, e megjithatë, a ka mjaftuar kaq kohë për të mbyllur plagët, në mos, për t’i shëruar disi ato?!

50 vjet Berlinermauer

… Pasditen e 12 gushtit të 1961, në orën 16.00, Walter Ulbricht, udhëheqësi i Gjermanisë Lindore urdhëron mbylljen e kufirit. Të dielën në mesnatë ushtria, policia dhe forcat luftarake i japin udhë të ashtuquajturit “plan-izolimi” të qytetit. Ishte nata kur ata do të nisnin ndërtimin e një muri i cili do të ndante Berlinin në dy pjesë për më shumë se 28 vjet. Rrugët, hekurudhat, linjat e tramvajit dhe stacionet e metrosë pushuan së punuari. Madje me këtë rast nuk u kursyen as varrezat…

Deri mbrëmjen e 9 nëntorit të 1989, banorët e lindjes do të harronin sesi dukej pjesa tjetër e të njëjtit qytet… e qytetit të tyre, Berlinit.

Berlini i ndarë, para murit

Me përfundimin e Luftës së II-të Botërore, Berlini e pa veten të ndarë në katër zona nga fuqitë aleate. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca zotëruan pjesën perëndimore të qytetit ndërsa Bashkimi Sovjetik mori pjesën lindore të tij, në të cilën do të themelonte Republikën Demokratike Gjermane, një emërtim tejet ironk për një regjim totalitar komunist.
Ndryshimi mes dy republikave gjermane ishte i dukshëm si drita e diellit. 2 doktrina brenda të njëjtit qytet, njëra anë si qendra e kapitalizmit e tjetra si shembull ideal i socializmit. Kufiri zyrtar me dy Gjermanive u vu në 1952, e megjithatë kjo nuk i ndaloi qindra qytetarë të lindjes ta kalonin çdo ditë këtë kufi, të zhgënjyer e të pashpresë nga standardi i jetës, mungesa e lirisë dhe shtypja e regjimit. Emigrimi masiv që ndodhi deri në 1961 bëri që Gjermania Lindore të humbiste më shumë se 2.5 milionë prej qytetarëve të saj. Mes tyre shumë personalitete, artistë e shkrimtarë të cilët në dëshëpërim braktisnin vendin e tyre nga pamundësia për të bërë kompromis me sistemin.

Gjetur ngushtë në këto rrethana, me qytetitn që boshatisej dita-ditës, Bashkimi Sovjetik vendosi që jeta e qytetarve të RDGJ-së të ndryshonte brenda një nate.

Duke u gdhirë 13 gushti i 1961-it, kamionë plot me ushtarë dhe punëtorë ndërtimi do të pushtonin Berlinin Lindor. Teksa i gjithë qyteti flinte, ekipet e punës nisën bllokimin e të gjitha rrugëve që të lidhnin me Berlinin Perëndimor. Do të hapeshin menjëherë gropa ku do të pozicionoheshin blloqe betoni dhe kulla të larta vrojtimi. Një mur teli me gjemba do të ishte kufiri provizor i të ashtuqujturit “Muri i turpit” apo “Perdja e hekurt”që do të ndante Lindjen nga Perëndimi gjatë Luftës së Ftohtë.

Mëngjesin e ditës tjetër, berlinezët do të zgjoheshin në një qytet të izoluar. Linjat e telefonit ishin këputur. Kufiri virtual tani ishte ngurtësuar. Ata i përkisnin Lindjes, Perëndimi për ta ishte i ndaluar.

Ata nuk do të mund ta kalonin më kufirin për të parë opera, teatër apo ndonjë ndeshje futbolli në Perëndim. Por ajo çka rëndoi më shumë ishte fakti se 600 mijë punonjës hoqën dorë nga puna e tyre në pjesën tjetër të qytetit. Familje, miq e të afërt nuk do të mund ta takonin më njëri-tjetrin. Kushdo që natën e 13 gushtit fjeti në atë anë të Berlinit, do të ngecte aty për më shumë se 2 dekada.

Muri i madh i Berlinit

Muri i Berlinit në përfundim të tij do të shtrihej në një gjatësi prej më shumë se 160 km. Ai kalonte përmes qendrës, duke mbështjellë pjesën perëndimore e duke veçuar totalisht atë lindore. Megjithatë, përgjatë historisë së tij 28 vjeçare, Muri i Berlinit pësoi ndryshime të mëdha. Në fillmi nisi si një mur ndërtuar nga shtylla betoni dhe një rrjetë teli me gjemba. Kjo zgjati vetëm për pak ditë pasi menjëherë do të shfaqeshin blloqe të rënda betoni të cilat veç kufirit, tashmë izolonin edhe pamjen.

Dy variantet e para të murit (teli me gjemba dhe blloqet e betonit) do të zëvendësoheshin nga një i tretë në 1965. Ky version përbëhej nga mure të larta betoni përforcuar me shufra të trasha hekuri.

Verisoni i katërt dhe ai final i Murit të Berlinit u ndërtua mes 1975-ës dhe 1980-ës. Ishte padyshim shumë i sofistikuar dhe i sigurtë. Pllaka e betonit tani ishin 3.6 m të larta dhe 1.2 m të gjera. Veç kësaj edhe i gjithë sistemi i sigurisë u perfeksionua. U ndërtuan mure brenda murit ekzistues, veç rojeve të zakonshme muri patrullohej nga ushtarë me qen kufiri. Terreni rrotull tij u shtrua me rërë që të dalloheshin gjurmët e këmbëve kur kishte lëvizje, muri u vesh me tela tensioni të lartë, u rrit numri i kullave të vrojtimit, sikurse u ndërtuan dhe dhjetra bunkerë. Së fundmi territori rreth kufirit u kthye në një fushë të minuar.

Checkpoint Charlie

Pas gjithë këtyre përforcimeve e masave parandaluese ishte totalisht e pamundur kapërcimi i murit. Megjithatë ndërtimi i pikave zyrtare të kalimit, ishte i pashmangshëm. Këto pika kalimi kufitar të quajtura “Checkpoints” ishin e vetmja rrugë lidhëse e komunikimi mes dy anëve të qytetit. Vizitat zyrtare apo ato turistike do të kalonin nëpër këto pika kontrolli me një leje të posaçme.

Mes 8 pikave kufitare, më e famshmja ishte “Checkpoint Charlie” vendosur në kufirin që ndante lindjen dhe perëndimin në rrugën Friedrichstrasse. Checkpoint Charlie u bë pikëkalimi kryesor i forcave aleate, diplomatëve apo vizitorëve të huaj që shkonin në pjesën tjetër të qytetit. Pas shembjes së murit, Checkpoint Charlie u kthye në simbolin e Luftës së Ftohtë e njëkohësisht edhe në një prej atraksioneve më të medha turistike të Berlinit. Sot në këtë zonë gjendet “Museum Haus am Checkpoint Charlie”, Muzeu i Murit, ku pika e mërparshme kufitare është rindërtuar gati në verisonin e saj origjinal.

Viktima të Murit

100,000 qytetarë të RDGJ u përpoqën të kalonin kufirin mes 1961 dhe 1988.

600 prej tyre u vranë nga rojet kufitare apo vdiqën gjatë përpjekjeve për t’u arratisur. Shumë u mbytën, pësuan aksidente fatale apo u vetëvranë pasi nuk arritën ta kalonin murin.

136 prej viktimave janë qëlluar në mur.

18 vjeçari Peter Fechter u qëllua brenda gardhit të murit në 17 gushtin e vitit 1962 dhe u la aty për mëse një orë, në pamundësi për t’u ndihmuar nga njeri, pasi ish goditur në tokën e askujt. Vetëm pasi i riu dha shpirt nën sytë e të gjithëve, forcat sovjetike vendosën të tërhiqnin trupin e pajetë.

1065 kryqe gjenden sotpranë pikës kufitare Checkpoint Charlie, të cilët përfaqësojnë viktimat e rëna gjatë periudhës se Murit. Mes tyre lexohet edhe emri i Peter Fechter.

Muri në numra

Gjatësia e kufirit me Berlinin Perëndimor155 km
Kufiri brenda qytetit43 km
Kufiri mes Berlinin Perëndimor dhe RDGJ (unaza e jashtme)112 km
Pika kufitare8
Kulla vrojtimi302
Bunkerë20
Patrulla me qen kufiri259
Fortesa kundër automjeteve105,5 km
Kabllo tensioni të lartë dhe sinjalizues127,5 km

_____________________________________________________________________________________

Botuar në gazetën Shekulli, Dt. 13.08.2011

No comments: