Liqeni i Pogradecit do të shpallet pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO-ja. Një delegacion nga kjo organizatë do të mbërrijë këtë javë në këtë qytet, ndërsa mediat shqiptare duke u mbështetur në burime zyrtare, kanë bërë të ditur agjendën e vizitës. Ata do të merren me përgatitjen e dokumentacionit dhe kriteret për aplikimin e pjesës së Liqenit të Ohrit që i takon Shqipërisë, për t'u bërë pjesë e projektit të UNESCO-s, ashtu si dhe pjesën tjetër të liqenit që i takon Maqedonisë, kanë shkruar ato.
Pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit qe shpallur trashëgimi botërore që nga UNESCO-ja që në vitin 1982. Shqipëria kishte humbur mundësinë në atë vit që ta fusë nën mbrojtje edhe pjesën e vet të liqenit, pasi udhëheqja e atëhershme komuniste kishte refuzuar kërkesën e UNESCO-s.
“Delegacionit të UNESCO-s në vitin 1982 i ngeli projekti në dorë, madje ishte planifikuar që përveç liqenit UNESCO-ja të merrte në mbrojtje edhe Parkun e Drilonit dhe burimet e Drinit. U deshën plot 30 vjet që UNESCO-ja të vijë përsëri në Pogradec dhe të miratojë edhe pjesën shqiptare të liqenit "Trashëgimi botërore që ruhet prej saj”, kanë shkruar mediat në Shqipëri.
Në bazë të projektit, UNESCO-ja do të angazhohet për rregullimin e sistemit të kolektorit përgjatë gjithë vijës liqenore në të dyja anët e kufirit, bashkë me shfrytëzimin turistik të liqenit, që sjell edhe leverdi materiale, por do të mbrohet nga dëmtimet dhe deformimet pranë lokaleve që kanë betonuar bregun. Vetëm pjesa shqiptare ka nga fshati Lin deri në Tushemisht 4,8 kilometra breg të betonuar.
Dashamir Kurti, që merret me monitorimin e ujërave të liqenit në laboratorin në Pogradec, ka thënë se kjo është një ngjarje e madhe, që kjo ide e kamotshme të bëhet realitet.
“Është shumë e rëndësishme që ajo që propozohet nga UNESCO-ja, që të bëhet zgjerimi dhe mbrojtja e tërësishme e Liqenit të Ohrit, jo vetëm në pjesën maqedonase por edhe në atë shqiptare, është mirëpritur nga pala shqiptare dhe na obligon që të ndërmarrim të gjitha aktivitetet e duhura për të garantuar mbrojtje maksimale të Liqenit të Ohrit, si trashëgimi natyrore dhe kulturore me vlera të mëdha”, ka thënë ai.
*via Koha.net
No comments:
Post a Comment