Javen e kaluar Zeri.info publikoi nje artikull mbi veprat kulturore historike ne Shqiperi dhe Kosove - vlera e tyre dhe percjellja tek gjeneratat e reja.
Diskutimet mbi kete pronesi kulturore kane qene te shumta ne vitet e fundit, por pa asnje rezultat konkret. Akoma nuk ka nje disipline kulturore te vete njerezve apo dhe masa ligjore qe ruajne dhe avancojne edukimin qytetar mbi vlerat e kryeveprave te tilla, si isopolifonia popullore.
Disa muaj me pare BBC dha nje program mbi isopolifonine e jugut, te cilin mund ta ndiqni ketu:
Pjesa e Pare, Pjesa e Dyte.
Artikuj te tjere ne kete blog mbi trashegimine kulturore dhe cfare po behet me te, mund ti gjeni:
ketu, ketu, ketu.
artikulli i meposhtem eshte marre nga Zeri.info
Kryeveprat shpirtërore në mëshirë të askujt
nga Saranda Rama | 28-03-2012 11:41 CET
Po vazhdon punimet Konferenca rajonale për trashëgimi kulturore jomateriale “Ndërlidhjet”, “Roli i dialogut ndërkulturor dhe qasja mbi mbrojtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme te gjeneratat e reja”.
Vasil Tole, ekspert i trashëgimisë kulturore shpirtërore nga Shqipëria, duke prezantuar rëndësinë e isopolifonisë popullore shqiptare ka thënë se isopolifonia si kulturë jetësore dhe muzikore ka në thelb të kënduarit së bashku, pra në grup, që sipas tij është një tregues i fuqishëm i jetës në bashkësinë njërëzore.
“Këtë nivel të lartë të këtyre bashkësive, të cilat përveç se jetojnë së bashku qajnë e këndojnë në grup me ansamble, si kori me karakter muzikor dhe vokalistik e kanë vënë re edhe autorët antikë, ku shpreheshin për banorët e Ilirisë dhe Epirit ndër ta, kaonët molosët etj, se ata i nderojnë shumë perënditë, se janë të drejtë dhe mikpritës, se e duan jetën shoqërore dhe se janë të dhënë pas një jete shumë të hishme. Antropologët kanë nxjerrë në pah gjithashtu se një disiplinim i tillë demokratik njerëzor e moral i familjes dhe i popullsisë shpjegon se përse demokracia aso kohe arriti kulmin edhe për arsye se Shqipëria e sotme ishte zgjedhur si një vend i parapëlqyer për jetën njerëzore që prej kohës së vendbanimeve neolitike e deri më sot”, ka thënë Tole.
Sipas tij, ashtu siç kultura dhe tragjedia antike greke lindi prej epikës dhe ritualit, ashtu edhe isopolifonia nuk është gjë tjetër pos se formë artistike e tragjedisë njerëzore e gdhendur në muzikë prej dhimbjes së masës së familjarëve të mbledhur në vajtim.
“Pikërisht këtu vërejmë funksionin e familjes si një ansambël demokratik dhe të korit muzikor isopolifonik që kërcen dhe vajton si një familje muzikore, në këtë vështrim isopolifonia vajtuese është tragjedia muzikore që çliron dhimbjen përmes këndimit vajtimor, mu në mes të popullit ajo që formëzon zërat e larmishëm në muzikalitet dhe atë polifonik në horizontalitet, duke filluar prej pedalit të njëtrajtshëm të isos, që në një lloj kuptimi lëshon ngjyrat e jetës, duke filluar nga e zeza e vdekjes. Isopolifonia është një dramë me një akt me tri personazhe kryesore, marrësi, prerësi dhe kthyesi, të mbështetur nga kori sinonim i popullit që nuk vdes kurrë”, tregon Tole në prezantimin e tij.
Ndër masat kryesore që sipas Toles duhet vënë për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore është masa ligjore. Ai ka këshilluar edhe kolegët e tij kosovarë që në kuadër të ligjit për trashëgiminë kulturore (objektet) të futet edhe trashëgimia shpirtërore.
“Inkurajoj kolegët kosovarë që me gjithë përpjekjet që po bëjnë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të avancojnë krahas listës së trashëgimisë materiale të monumenteve, të shpallin brenda ligjit edhe listën e kryeveprave shpritërore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të munden që të jetë i njëjti kujdes edhe për trashëgiminë shpirtërore. Shqipëria e ka bërë këtë në 2010-ën, kuptohet që nuk është bërë shpejt, por u desh kohë që të emancipoheshin strukturat përkatëse”, ka thënë ndër të tjera Tole.
Isopolifonia popullore shqiptare është pjesë përbërëse e listës së UNESCO-s nga data 25 nëntor 2005.
No comments:
Post a Comment